Makfirete Dibrani

Makfirete Dibrani si punonjëse në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ngriti zërin kundër një rasti të rëndë abuzimi me fondet publike, që kishte të bënte me faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit – një vendim me pasoja serioze financiare për interesin publik.

Pavarësisht se sinjalizimi i saj u bë publik në media, znj. Dibrani nuk gjeti mbështetje nga institucioni ku punonte. Përkundrazi, ajo u përball me një fushatë hakmarrjeje dhe presionesh të vazhdueshme. U përball me veprime disiplinore, vlerësime të padrejta të performancës, dhe u tentua largimi i saj nga puna me vlerësime të manipuluara, të cilat u kundërshtuan nga Komisioni i Pavarur për Ministra dhe Shërbimin Civil (KPMSHC).

Për guximin dhe integritetin e saj, Makfirete Dibrani u nderua me “Çmimin për Guxim Qytetar 2024”, dhënë nga Lëvizja FOL në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit. Në ceremoninë e ndarjes së çmimit, ish-Presidentja Atifete Jahjaga vlerësoi veprimin e saj si shembull të fuqishëm të angazhimit të grave në luftën kundër korrupsionit.

Znj. Dibrani, në fjalimin e saj, tha:

“Nuk mund të qëndroja në heshtje përballë shpërdorimit të dhjetëra miliona eurove. Sot qëndroj këtu sepse besova se e vërteta dhe drejtësia duhet të dilnin në pah – pavarësisht sfidave dhe pengesave të shumta.”

 

Shpërndaje

Të ngjashme