Ekipi i projektit Sinjalizuesi është duke i ndihmuar sinjalizuesit në mënyrë që sinjalizimet e tyre të trajthen si duhet nga institucionet. Vetëm për një muaj, jemi kontaktuar nga më shumë se dhjetëra sinjalizues.
– Një sinjalizues në një institucion mikrofinanciar ka sinjalizuar për abuzime në skemën e subvencionimit të kredive nga qeveria e Republikës së Kosovës.
– Një sinjalizues ka raportuar se fondet e EBRD-së janë keqpërdorur nga institucioni mikrofinanciar duke lëshuar kredi pa kritere dhe në kundërshtim me kushtet e EBRD-së.
– Një sinjalizues nga IKAP ka sinjalizuar se ky institucion po zgjedh njerëz të afërm të menaxhmentit për mbajtjen e trajnimeve dhe pastaj po ndahen fitimet me menaxhmentin e institucionit.
– Një sinjalizues në KEK ka raportuar se drejtori i përgjithshëm e ka shkarkuar atë, pasi ai ka sinjalizuar për keqpërdorime në tendera dhe mosplotësim të kushteve të kontratave në këtë institucion.
– Një sinjalizues nga Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se anëtarët e bordit të SHSKUK-së kanë mbajtur pozita të jashtëligjshme gjatë mandatit të tyre.
– Një sinjalizues nga një institucion i pavarur qeveritar ka raportuar se është shkarkuar nga puna pasi nuk pranoi mos zbatimin e planit të punës për auditimin në disa fusha të caktuara.
– Sinjalizuesi nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë është shkarkuar nga puna për të disatën herë pasi ka sinjalizuar te kryeministri për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
– Një sinjalizues në Ministrinë e Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është degraduar në punë pasi ka sinjalizuar te zyra e Kryeministrit për keqpërdorime nga Ministria në rastin e ambalazhuesve të ujit.
– Një sinjalizues në Ministrinë e Financave ka raportuar se është diskriminuar pasi ka sinjalizuar në këtë institucion për rregullësi dhe diskriminim. Etj.
Për të gjitha këto raste, ekipi i sinjalizuesit ka dërguar letra zyrtare te të gjitha këto institucione, por asnjë prej tyre nuk ka shprehur gatishmëri për të trajtuar sinjalizuesit ashtu siç kërkohet sipas ligjit.
Sinjalizues, mos u ndalni! Vazhdoni të na kontaktoni, në mënyrë që sinjalizimet tuaja të mos mbeten të heshtura dhe së bashku të luftojmë korrupsionin dhe dëmtimin e interesit publik.