“Sinjalizuesi” qe ka mision mbrojtjen dhe fuqizimin e sinjalizuesve në Kosovë, vlerëson se deklarimet publike të bëra nga z. Arsim Halili, Drejtor i Radio Kosovës, lidhur me dyshimet për shkelje të procedurave ligjore dhe keqpërdorim të fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), përbëjnë një rast tipik të sinjalizimit sipas Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve (Ligji Nr. 06/L-085).
Prandaj, theksojmë se:
- Z. Halili është sinjalizues sipas përkufizimit ligjor, pasi në cilësinë e punonjësit të RTK-së ka raportuar publikisht dyshime për shkelje të ligjit dhe keqpërdorim të fondeve publike.
- Ligji i garanton atij mbrojtje nga çdo formë hakmarrjeje, ndëshkimi apo dëmtimi të reputacionit si pasojë e publikimit të informacionit.
- Të gjitha mediat duhet të respektojnë statusin e tij si sinjalizues dhe të përmbahen nga çdo raportim, koment ose publikim që mund të dëmtojë integritetin personal dhe profesional të tij.
Ky rast paraqet një situatë të veçantë, pasi sinjalizuesi nuk po raporton tek mediat për keqpërdorime institucionale, siç ndodh zakonisht, por po raporton për shkelje ligjore që përfshijnë dy media. Kjo e bën çështjen më sensitive dhe kërkon një qasje të kujdesshme.
Për këtë arsye:
- U bëjmë thirrje të gjitha mediave, përfshirë edhe ato që mund të ndihen të përfshira në raportim, të tregojnë përmbajtje, të shmangin gjuhën denigruese dhe të garantojnë që sinjalizuesi të mos dëmtohet publikisht.
- U bëjmë thirrje institucioneve kompetente, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Prokurorinë dhe organet mbikëqyrëse të RTK-së, që të hetojnë me prioritet pretendimet e ngritura, duke siguruar mbrojtje efektive për sinjalizuesin.
Theksojmë se mbrojtja e sinjalizuesve është një detyrim ligjor dhe një standard demokratik që garanton transparencën, llogaridhënien dhe luftën kundër korrupsionit. Ekipi i Projektit “Sinjalizuesi” do të vazhdojë ta monitorojë këtë rast dhe të ofrojë mbështetje të plotë për z. Halili deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe garantimin e mbrojtjes së tij ligjore.

