Pyetjet më të shpeshta për sinjalizimin

1. Çka është një sinjalizues?

Sinjalizuesi është një person që shpërfaq apo raporton informacion për aktivitete joligjore, joetike apo mashtruese brenda një organizate apo institucioni.

2. Çfarë i motivon personat që të bëhen sinjalizues?

Sinjalizuesit shpesh motivohen nga një sens i përgjegjësisë apo dëshirë për të treguar për gabimet apo shqetësimet për sigurinë dhe mirëqenien e përgjithshme. P.sh. Një person ka sinjalizuar për veprim të gabuar apo të jashtëligjshëm në vendin ku punon dhe kërkon mbrojtje ligjore.

3. Çfarë aktivitete mund të raportohen nga sinjalizuesi/ja?

Sinjalizuesit mund të raportojnë për aktivitete të ndryshme, duke përfshirë mashtrimin, korrupsionin, diskriminimin, shkeljet e sigurisë, shkeljet ambientale, shkeljet financiare dhe çfarëdo shkelje tjetër joetike dhe joligjore brenda një institucioni apo organizate.

4. A ka mbrojtje ligjore për sinjalizuesit?

Shumë vende në botë kanë ligje të veçanta për sinjalizues. Në Kosovë Ligji Nr. 06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesit shërben si bazë ligjore për mbrojtje. Mbrojtja e sinjalizuesit mund të përmblidhet si sigurim i anonimitetit, kthim në punë dhe kompensim për dëmet që janë rezultat i sinjalizimit.

5. Si duhet të sinjalizohet?

Sinjalizuesit mund të raportojnë në organet brenda institucionit apo si alternativë mund të zgjedhin raportimin e jashtëm, në organe të institucioneve relevante për raportim. Poashtu sinjalizim mund të jetë edhe publikimi i aktiviteteve të jashtëligjshme apo joetike në mediume digjitale.

6. A është i mundur sinjalizimi anonim?

Ligji për sinjalizues në Kosovë rregullon konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave të sinjalizuesit. Gjithsesi, të jetë krejtësisht anonim sinjalizimi, duhet të konsultohet legjislacioni, në mënyrë që të mbrohet identiteti dhe të dhënat e sinjalizuesit përgjatë procesit të raportimit.

 7. Çfarë të drejta kanë sinjalizuesit?

Sinjalizuesi ka të drejtën e mbrojtjes së identitetit gjatë procesit të sinjalizimit, ruajtjen e fshehtësisë së burimit të informacionit të sinjalizuar dhe mbrojtjen nga veprimet e dëmshme si rrjedhojë e sinjalizimit. Këto të drejta, sipas ligjit në Kosovë, sigurohen gjatë kohës së sinjalizimit, pas përfundimit të procedurës së sinjalizimit dhe pas përfundimit të marrëdhënies në mes të sinjalizuesit dhe personave apo institucioneve, për të cilët sinjalizon; në rrethana të arsyeshme dhe me kërkesë të veçantë nga sinjalizuesi/ja.

8. Si trajtohet zakonisht një sinjalizim?

Institucionet zakonisht kanë procedura për trajtimin e raportimeve. Gjithsesi, Ligji për Sinjalizues në Kosovë ka rregulluar procesin e sinjalizimit në bazë të llojit të sinjalizimit. Për më tepër, shih Ligjin Nr.06/L- 085. 

9. Cilat janë sfidat e sinjalizimit?

Sinjalizuesit mund të përballen me sfida si humbje e vendit të punës, dëmtim i reputacionit dhe sfida të tjera në lidhje me sinjalizimin e raportuar. Sinjalizimi duhet të jetë një raportim i menduar dhe planifikuar mirë, në mënyrë që sfidat e sinjalizimit të parandalohen apo të lehtësohen duke aktivizuar mbrojtjen ligjore.

Shpërndaje

Të ngjashme